TË GJITHA RRUGËT NË PËRGJEGJËSI TË MI-SË, JANË TË KALUESHME

TË GJITHA RRUGËT NË PËRGJEGJËSI TË MI-SË, JANË TË KALUESHME

Gjendja atmosferike e të reshurave ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve ditëve të fundit, mirëpo sipas informacioneve të siguruara nga Ministria e Infrastrukturës dhe e Transportit thuhet se të gjitha rrugët janë të kalueshme.

Pavarësisht kësaj ata bëjnë thirrje që pjesëmarrësit në komunikacion të jenë të vëmendshëm, transmeton AMCK.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë nga MTI;

“Ministria e Infrastrukturës njofton qytetarët e Republikës së Kosovës, se të gjitha rrugët janë të kalueshme për qarkullim të automjeteve.

Përkundër rreshjeve të pa ndërprera të borës dhe temperaturave të ulëta, kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtje të rrugëve në kompetencë të MI-së, në vazhdimësi janë duke pastruar rrugët nga bora dhe duke parandaluar ngricat e mundshme, me hedhje të kripës.

Theksojmë se MI, me 14 kompani të kontraktuara për 7 regjionet e Republikës së Kosovës dhe 4 për autostradat, ka në përgjegjësi mirëmbajtjen e rrugëve rajonale, magjistrale, nacionale e autostradat dhe jo rrugët komunale. Ministria është e gatshme që të ndihmojë secilën komunë, në rast të pranimit të kërkesave zyrtare.

Ministria e Infrastrukturës bën thirrje për të gjithë vozitësit që t’u përshtaten kushteve atmosferike gjatë ngasjes së makinave, me qëllim të parandalimit të aksidenteve të mundshme në trafikun rrugor.” 

Keep it green me iniciativë për ruajtjen e ambientit

Keep It Green gjatë ditës së sotme ka vendosur Shportën e Sondazheve në qytetin e Obiliqit, e cila ka për qëllim reduktimin e ndotjes nga filterat e cigareve në rrugë.

Filterat e cigareve përbëjnë një ndër ndotësit më të mëdhenj të rrugëve në Kosovë. Ata kanë përbërje të konsiderueshme të plastikës e cila merr deri ne 13 vite të shpërbëhet.

Shportat e Sondazheve në qytete mbarë botës kanë rezultuar suksesshëm në reduktimin deri në 46% të ndotjes nga filterat e cigareve në vendet ku janë vendosur.

Shporta shfaq një pyetje dhe dy alternativa për përgjigje. Duhanpirësit votojnë duke e vendosur filterin e cigares nën përgjigjen e tyre të preferuar.

Filterat grumbullohen prapa pjesës së përparme të qelqit në dy kolona, ​​duke treguar se cila përgjigje është më e popullarizuar. Pyetjet do të ndërrohen në bazë mujore!

Kjo paisje u instalua nga Keep It Green, me përkrahje nga European Endowment for Democracy (EED).

Vetura elektrike nga Apple, 500 km me një mbushje të vetme

Vetura elektrike nga Apple, 500 km me një mbushje të vetme

Performanca e makinës elektrike Apple është e njohur mirë.

Ka pasur kaq shumë zëra rreth veturës së Apple gjatë muajve të fundit saqë duket se hyrja e gjigantit të teknologjisë në atë treg është pothuajse një gjë e sigurt.

Njoftime të reja të tilla kanë të bëjnë me veturën dhe parashikohet që Apple Car të shfaqet në treg më së shpejti, dhe lë mundësinë e vonesës sepse është një industri krejtësisht e re për kompaninë.

Hyundai duket se po i ndihmon gjigantit amerikan për të bërë makinën, kështu që Apple Car do të përdorte platformën e tyre E-GMP për automjete elektrike.

Duke qenë se Hyundai tashmë ka njoftuar aftësitë e një platforme të re të zhvilluar ekskluzivisht për veturat elektrike, bazuar në këto të dhëna, tashmë mund të konkludohet se cilat mund të jenë performancat e Apple Car.

Diapazoni i makinës në platformën e Hyundai duhet të jetë rreth 500 kilometra, shpejtësia maksimale është më e lartë se 250 km / orë dhe shpejtësia nga 0 në 100 km / orë do të jetë në gjendje të arrihet në më pak se 3.5 sekonda.

Makina do të mbështesë karikimin e shpejtë kështu që në 18 minuta bateria duhet të jetë 80 për qind e mbushur, ndërsa pesë minuta karikim do të mjaftonin për një distancë prej 100 kilometrash. Transmeton Telegrafi.

Dita Ndërkombëtare e Ligatinave


2 shkurti i çdo viti është shpallur si “Dita Botërore e Ligatinave”. Kjo ditë shënon datën e miratimit të Konventës për Ligatinat në 2 shkurt 1971 në qytetin Iranian të Ramsar-it.

Ligatinat ose sistemet e “tokave të lagura”, janë sipërfaqe ujore të përhershme ose përkohshme deri në 6 metra thellësi, dhe përbëjnë një ekosistem mjaft i rëndësishëm që siguron larmi përfitimesh përfshirë filtrimin e ujit, sigurimin e biodiversitetit, mbrojtjen e bregdetit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike.

Publiku i gjerë është pak i ndërgjegjshëm për këto shërbime të rëndësishme të ligatinave. Dita Botërore e Ligatinave është një mundësi e mirë për të kërkuar ndryshimin e situatës dhe ndërgjegjësuar publikun mbi rëndësinë që kanë ligatinat për të ardhmen e njerëzimit.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka shënuar këtë ngjarje të rëndësishme mjedisore, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve qeveritare, Universiteti i Prishtinës, ekspertë të kësaj fushe si dhe përfaqësues nga organizatat jo qeveritare.

Fadil Bajraktari, drejtori Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, me këtë raste theksoi se në vargun e angazhimeve dhe aktiviteteve të IKMN/AMMK i ka kushtuar një vëmendje të posaçme mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit e me theks të veçantë mbrojtjes së zogjve që është e ndërlidhur ngushtë me mbrojtjen e ligatinave.

Ndërsa, Halil Ibrahimi nga Departamenti i Biologjisë së Fakultetit të Shkencave potencoi se ekosistemet e ligatinave janë me biodiversitetin të pasure dhe ka shtuar se këto ekosisteme janë të rëndësishme sidomos për faktin se janë hapësira jetësore të shumë llojeve të zogjve.

Shënimi i 2 Shkurtit-Ditës Ndërkombëtare të Ligatinave sivjet korrespondon edhe me përvjetorin e dyzetë e tetë të Konventës së Ramsarit e cila është një marrëveshje ndërqeveritare që përcakton kornizën për një bashkëpunim ndërkombëtar në mbrojtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të ligatinave. Tema ndërkombëtare për shënimin e Ditën Botërore të Ligatinave për Vitinë 2019 ishte “Ligatinat dhe ndryshimet klimatike – Wetlands and climate change”.

Me qëllim të sensibilizimit të opinionit të gjerë për rëndësinë e ruajtjes së Ligatinave në veçanti dhe zogjve në përgjithësi, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës/Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ka përgatitur arsyeshmërinë profesionale për shpalljen e Ligatinës së Hencit, Zonë e mbrojtur.

Ndërsa Qeveria e Republikës se Kosovës në vitin 2014 ka marrë vendimi për shpalljen e Ligatinës së Hencit, Zonë e Veçantë e Mbrojtur e Zogjve, me sipërfaqe prej 109 h. Transmeton Koha.net.

Jaguar kthen në vitin 2021 modelin e para 70 viteve

Jaguar kthen në vitin 2021 modelin e para 70 viteve

Marka britanike Jaguar rikthehet të prodhojë makinën e saj klasike C-Type.

Jaguar C-Type është një nga makinat më të lavdishme të kësaj marke, që debutoi në vitin 1951 dhe fitoi po atë vit garën e famshme të La Manshit.

Përgjatë viteve u prodhuan 53 Jaguar C-Type.

Çmimi i makinës së këtij viti nuk dihet, por në ankand, një mjet i tillë është shitur rreth 1,5 milionë euro.

Për herë të parë prodhohet bateria e veturave elektrike që mbushet për 5 minuta

Për herë të parë prodhohet bateria e veturave elektrike që mbushet për 5 minuta

Janë prodhuar për herë të parë bateritë për vetura elektrike që mbushen plotësisht për vetëm pesë minuta. Kjo arritje po vlerësohet si hap i madh drejt synimit që veturat elektrike në të ardhmen të mbushen aq shpejt sa veturat me naftë ose benzinë.

Veturat elektrike janë pjesë jetike e masave kundër krizës klimatike, por harxhimi i baterisë është shqetësim për vozitësit. Bateritë e reja jon-litium u zhvilluan nga kompania izraelite “StoreDot” dhe u prodhuan nga kompania “Eve Energy” në Kinë në linjat standarde të prodhimit.

Kompania izraelite tashmë e ka dëshmuar veten përmes prodhimit të baterive që mbushen shumë shpejt të telefonave, dronave, skuterëve, ndërsa 1.000 bateritë e prodhuara tani pritet ta dëshmojnë teknologjinë e saj te prodhuesit e veturave.

Në këtë kompani kanë investuar gjigantët “Daimler”, “BP”, “Samsung” dhe “TDK” dhe deri tani ka arritur të grumbullojë 130 milionë dollarë, shkruan The Guardian.

Bateritë e reja mund të mbushen për vetëm pesë minuta, por për to nevojiten mbushës shumë më të fuqishëm sesa ata që përdoren sot. Duke përdorur infrastrukturë në dispozicion, kompania “StoreDot” synon që me një mbushje 5-minutëshe të baterisë të ofrojë 160 kilometra vozitje nga viti 2025.

Raport i 24 orëve për mirëmbajtjen e rrugëve në Kosovë

Raport i 24 orëve për mirëmbajtjen e rrugëve në Kosovë sipas Ministrisë së Infrastrukturës;

Prishtinë,
18 janar 2021​

Mirëmbajtja dimërore e auto-udhëve, rrugëve nacionale e atyre rajonale po vazhdon me intensitet të shtuar.

Bazuar në raportin ditor të ditës së sotme, Ministria e Infrastrukturës informon si në vijim:

Në auto-udhën R6 Doganaj-Hani i Elezit, për shkak të reshjeve të borës dhe temperaturave nën zero (-10) u intervenua me kripë dhe pastrim të borës si preventivë për parandalim të krijimit të ngricave në shtresat qarkulluese.

Ndërsa intervenime me kripë kishte  në të dy drejtimet : Suharekë Morinë  dhe Suharekë – Gjurgjicë.

Gjithashtu në Gjilani 2, të gjitha rrugët janë në gjendje të mirë, është intervenuar me kripë.

Në regjioni Peja 1 temperaturat janë mjaft të ulëta dhe ka ngrica, bëhet shpërndarja e kripës në të gjitha rrugët. Duhet cekur se në rrugën Kuqishtë-Bogë ka vështirësi në pastrimin e borës dhe shpërndarjen e kripës për shkak të parkimit të veturave në shiritin qarkullues. Të gjitha rrugët janë të kalueshme.  

Për shkak të reshjeve të borës  temperaturave nën zero (-10) u intervenua me kripë e rërë dhe në pastrim të borës,  në mbrëmje e në mesnatë dhe ne orët e mëngjesit  në të gjitha rrugët e regjionit Prishtina 1 si preventivë për parandalim të krijimit të ngricave në shtresat qarkulluese.

Gjakova 2, Prishtina 2,  Peja 2, Ferizaj 1,  s’ka intervenime sepse gjendja e rrugëve është e mirë.

Gjakova 1, në këtë rajon ka pasur intervenime në akset rrugore ku ka pasur ujë në rrugë, po ashtu është hedhur kripë dhe zhavorr. Të gjitha rrugët kanë qenë të kalueshme dhe pa ngrica.

Prizreni 2, për shkak të temperaturave  të ulëta është intervenuar në shpërndarjen e kripës në të gjitha rrugët: Prizren –Morinë , Prizren – Prevalle, Zhur -Dragash- Restelicë, Dragash – Brod, ndërsa bora është pastruar në rrugët, Prizren –Prevallë, Dragash – Brod dhe  Dragash – Restelicë. Rrugët janë të hapura për qarkullimi.

Ministria e Infrastrukturës bën apel për kujdes të shtuar në komunikacion, njëkohësisht mbetet e përkushtuar maksimalisht në zhvillimin normal të komunikacionit dhe minimizimin e vështirësive eventuale.